Sutra e Dashamirësisë

Fjala në gjuhën Pali ‘Karaniya’ do të thotë diçka si “ajo që duhet bërë”, kështu që mund ta përkthenim titullin — ndonëse jo shumë bukur — si Sutta e “Asaj që Duhet Bërë” për Metta-n.

Ashtu si Mangala Sutta, edhe Karaniya Metta Sutta na paraqet një pamje të plotë të jetës shpirtërore, nga fillimi deri te qëllimi përfundimtar. Po ashtu si Mangala Sutta, edhe kjo sutta këndohej tradicionalisht për të sjellë mbrojtje — madje komentuesit na tregojnë se Buda ua mësoi këtë sutta një grupi murgjish që ishin tmerruar nga shpirtrat e pemëve gjatë një qëndrimi në thellësi të pyllit; murgjit u kthyen dhe e përshkuan pyllin me metta, çka qetësoi shpirtrat armiqësorë. Kjo histori mund të përmbajë një të vërtetë me vlerë — që metta na mbron, si nga dëmet e të tjerëve, ashtu edhe nga frika jonë e brendshme. Megjithatë, rëndësia e kësaj sutte — dhe e praktikës së metta bhavana-s — shkon shumë përtej thjesht mbrojtjes. Karaniya Metta Sutta është një tekst jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse na thotë që praktika e metta-s mund të na çojë deri në qëllimin përfundimtar — që metta është një rrugë drejt Vizionit të Përkryer.

Karaniya Metta Sutta

Përkthim nga Vadanya, i bazuar në përkthimet e Ratnaprabha, Padmavaxhra, Piyadassi dhe Nanamoli.

Nëse e di çfarë është me të vërtetë e mirë për ty  
Dhe dëshiron të arrish një gjendje paqeje të përsosur,  
Atëherë kështu duhet të jetosh:  
 
Fillo duke u bërë një person i zotë,  
Që është i ndershëm dhe i drejtë,  
I lehtë për ti folur, i hapur dhe pa mendjemadhësi.  
 
Bëhu i kënaqur dhe lehtësisht i kënaqshëm,  
Mos u bëj shumë i zënë, jeto thjesht,  
 
Mbaji shqisat e qeta,  
Ki respekt për të tjerët,  
Mos u përfshi në shqetësimet e turmës,  
Dhe mos bëj asgjë të ulët  
Që njerëzit e urtë do ta kritikonin.
 
 [Atëherë duhet të meditosh kështu:]  
Duke menduar: Le të jenë të gjitha qeniet të lumtura dhe në paqe,  
Le të jenë të gjitha qeniet të lumtura në thellësitë e zemrave të tyre! 
 
Le të jenë të gjitha qeniet mirë,  
Të dobëtit dhe të fortët,  
Të vegjlit dhe të mëdhenjtë,  
Ata që janë afër dhe ata që janë larg,  
Ata që mund t’i shohësh,  
Dhe ata që nuk mund t’i shohësh,  
Nëse janë duke jetuar tani, apo që ende nuk kanë lindur -  
Le të jenë të gjitha qeniet të lumtura në thellësitë e zemrave të tyre!
 
Mos e mashtroftë askush tjetrin,  
Mos e nënçmoftë askush një tjetër,  
Mos e urreftë askush tjetrin,  
Mos dëshiroftë askush që një tjetër të vuajë.  
 
Ashtu si një nënë që përkujdeset për fëmijën e saj,  
Fëmijën e saj të vetëm,
Kështu kultivoni një zemër pa kufi me metta për të gjitha qeniet.  
Kultivoni një zemër pa kufi me metta për gjithë botën,  
Duke dërguar dashuri dhe mirësi në të gjitha drejtimet,  
Sipër, poshtë, dhe përreth, 
Pa pengesë,  
Përtej çdo armiqësie dhe urrejtjeje.  
 
Qofsh në shtëpi apo duke udhëtuar,  
Qofsh në këmbë, ulur apo shtrirë,  
Në të gjitha orët e tua, ushtro këtë vetëdije,
Që është si të jetosh në parajsë këtu dhe tani.  
 
Në këtë mënyrë do t’i lëshosh pas pikëpamjet e gabuara,  
Do të mbushesh me vizion të përkryer,  
Dhe, duke kaluar krejtësisht përtej lakmisë,  
Do të çlirohesh përgjithmonë nga cilkli i rilindjes.