Ceremonia e Dedikimit
Ne ia kushtojmë këtë hapësirë Tre Stolive:
Budës, Idealit të Përndritjes që ne synojmë;
Darmës, Udhës së Mësimit që ne ndjekim;
Sangës, Bashkësisë Shpirtërore me njëri tjetrin,
që na mbush me gëzim.
Këtu të mos thuhet asnjë fjalë e kotë;
Këtu të mos lindin mendime të zhurmshme
që trazojnë mendjen.
Për praktikimin e Pesë Parimeve
Ne e dedikojmë këtë vend;
Për ushtrimin e Meditimit
Ne e dedikojmë këtë vend;
Për zhvillimin e Mençurisë
Ne e dedikojmë këtë vend;
Për arritjen e Përndritjes
Ne e dedikojmë këtë vend.
Edhe pse bota jashtë është në konflikt
Këtu le të mbizotërojë paqja;
Edhe pse bota jashtë ka urrejtje
Këtu le të mbretërojë dashamirësia;
Edhe pse bota jashtë vuan
Këtu le të lulëzojë gëzimi.
Jo me recitime të shkrimeve të shenjta,
Jo me spërkatje të ujit të shenjtë,
Por përmes përkushtimit tonë drejt Përndritjes
Ne e dedikojmë këtë vend.
Rreth kësaj Mandale, këtij vendi të shenjtë,
Le të çelin petalet e zambakut të pastërtisë;
Rreth kësaj Mandale, këtij vendi të shenjtë,
Le të ngrihet muri i Vaxhra-ve të qëndrueshmërisë;
Rreth kësaj Mandale, këtij vendi të shenjtë,
Le të ndizen flakët që shndërrojnë Samsarën në Nirvana.
Këtu të ulur, këtu duke medituar,
Le të bëhet mendja jonë Buda,
Le të bëhet mendimi ynë Darma,
Le të bëhet lidhja jonë Sanga.
Për lumturinë e të gjitha qënieve,
Për të mirën e të gjitha qënieve,
Me trup, fjalë dhe mendje,
Ne e dedikojmë këtë vend.